KOSOVË, MIJËRA PUNONJËS TË SEKTORIT PUBLIK PROTESTOJNË PËR MIRATIMIN E LIGJIT TË PAGAVE

Mijëra punonjës të sektorit publik të bashkuar nga sindikatat e tyre kanë protestuar në sheshet e Prishtinës për mos-plotësimin e kërkesës së tyre, miratimit të Ligjit të Pagave për sektorin publik Grumbullimi i arsimtarëve, zjarrfikësve e shumë punonjësve të sektorëve tjerë publikë u bë në sheshin “Zahir Pajaziti” nga ku edhe nisi marshi drejt sheshit “Skënderbeu” të kryeqytetit, me flamuj dhe me pankarta me mesazhe të ndryshme si “Vlerësim i punës dhe mundit”, “Çka po ndodhë me ligjin e pagave?”, “Kryeministër, realizo kërkesat tona, parandalo grevat e përgjithshme”, e të tjerë. Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, kërkoi që sa më shpejtë të miratohet Projektligji për Pagat në Kuvendin e Kosovës. Ai gjatë fjalës së tij para protestuesve tha se deri në hyrjen në fuqi të këtij projektligji, kërkojnë që Qeveria t’u japë shtesë në paga prej 100 eurove. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka thënë se është turp që krerët e shtetit të shëtiten në vende të jashtme dhe të mos jenë pranë kërkesave të punëtorëve. Ai paralajmëroi veprime sindikaliste të radhës, nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të mos përmbushen. Përveç miratimit të Ligjit të Pagave dhe 100 eurot shtesë mbi pagë deri në miratimin e tij, protestuesit kanë kërkuar edhe fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale shtetërore. Punëtorët e sektorit publik tash e disa vite janë në pritje të miratimit të Ligjit të Pagave i cili do t’i nivelizonte dhe rriste pagat e sektorit publik në bazë të pozitave. Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë. Paga mesatare neto, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 542 euro.

SHARE