Nga sot në Mal të Zi hiqet kufizimi i pranisë së numrit të personave në ambiente të hapura dhe të mbyllura, sipas masave të reja kundër koronavirusit të miratuara nga Qeveria. Siç njoftohet nga Ministria e Shëndetësisë, vendimi i Qeverisë bazohet në situatën aktuale epidemiologjike dhe analizën e plotë të numrit të rasteve të reja dhe treguesve epidemiologjike, si dhe parametrave krahasues në lidhje me situatën në vendet e rajonit dhe më gjerë. “Qeveria ka vendosur të miratojë masa të reja kundër koronavirusit, të cilat hyjnë në fuqi nga dita e sotme, dhe me të cilat hiqet kufizimi i numrit të personave në ambientet e hapura dhe të mbyllura, në varësi të kapacitetit të tyre, por vazhdon të mbetet si një rekomandim i fortë “, thuhet në deklaratë. Ende rekomandohet përdorimi i maska mbrojtëse i personave që vuajnë nga sëmundjet kronike, personave të moshuar dhe me imunitet të dobët, veçanërisht nëse qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Të gjitha masat e tjera të vlefshme, mbesin në fuqi deri më 2 qershor. Nga ministria theksojnë se do të monitorojnë zhvillimin e situatës epidemiologjike , e cila mund të ndikojë në propozimin e masave të reja. “Një rekomandim i fuqishëm ende vlen për vaksinat sidomos dozën e tretë, veçanërisht për grupet e rrezikuara,” thuhet në deklaratë.