HAPET LINJA TIVAR – ANCONA, LIDHJA MË E SHPEJTË ME EVROPËN PERËNDIMORE

Qeveria e Malit të Zi do të rikthejë linjën detare me Italinë dhe trageti në linjën Tivar – Ankona mund të fillojë të funksionojë që në vitin 2024, u konkludua në takimin e kryeministrit Millojko Spajiq me kreun e kompanisë Adria Ferries, Alberto Rossi.

Trageti do të jetë lidhja më e shpejtë mes Malit të Zi dhe Evropës Perëndimore.

Në takim u konstatua se hapja e kësaj linje mund të ndikojë pozitivisht në turizmin në të dy vendet, dhe qytetarët e veriut të Italisë janë veçanërisht të interesuar për të ardhur në Mal të Zi.

“Kjo është arsyeja pse Ankona është një pikënisje e shkëlqyer për rivendosjen e trafikut detar, sepse shpesh qytetarët nga veriu i Italisë duhet të humbasin shumë kohë për të shkuar në Tivar, dhe një traget më i shpejtë nga Ankona mund të arrijë në Malin e Zi për 10 orë,” vuri në dukje Rossi.

Gjatë takimit, u theksua se është shumë e rëndësishme përfshirja e kompanive malazeze në projekt dhe kryeministri theksoi se në këtë mënyrë do të mundësohet që Tivari dhe Navigacioni Malazez t’i sjellin vlerë shtesë Malit të Zi.

Analizat e para treguan se gjatë sezonit veror linja do të funksiononte pa probleme dhe se duhet të punohet edhe në promovimin e trafikut gjatë periudhës së dimrit.

SHARE