PRESIDENTI AMERIKAN NJOFTON PAKETË TJETËR USHTARAKE PREJ 500 MILIONË DOLLARËSH PËR UKRAINËN

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një vizitë të papritur në Kiev ka njoftuar një paketë të re të ndihmës ushtarake prej 500 milionë eurosh për Ukrainën. 

“Së bashku, ne kemi angazhuar rreth 700 tanke, mijëra automjete të blinduara, 1 mijë sisteme artilerie, më shumë se 2 milionë fishekë municione artilerie, më shumë se 50 sisteme raketash të avancuara, si dhe sisteme kundër anijeve dhe mbrojtje ajrore. Të gjitha për të mbrojtur Ukrainën dhe këtu nuk llogariten gjysmë miliardë dollarët e tjerë që do të ri-njoftojmë për ju sot dhe nesër”, tha Biden në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Biden tha se ky njoftim gjithashtu përfshin municione artilerie për raketat HIMARS dhe obus, shumë sisteme raketore anti-tank Javelin dhe radarë mbikëqyrës, të gjitha këto, siç tha ai, për të “mbrojtur popullin ukrainas”.

Biden po ashtu tha se më vonë këtë javë SHBA-ja do të njoftojë sanksione shtesë ndaj kompanive dhe elitave ruse që po përpiqen t’i shmangen sanksioneve të vendosura ndaj Moskës, duke theksuar se prania e tij në Kiev tregon mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Presidenti Zelenskyy, nga ana e tij, tha se negociatat mes tij dhe presidentit Biden ishin shumë të frytshme dhe se rezultatet e tyre do të reflektohen në “fushën e betejës”.

“Ne po ashtu kemi biseduar për armët me rreze të gjatë dhe armët që ende mund të furnizohen në Ukrainë, edhe pse nuk ishin furnizuar më parë”, theksoi Zelenskyy.

Biden mbërriti në Kiev më herët gjatë ditës në një vizitë të paparalajmëruar, dy muaj pasi Zelenskyy udhëtoi në SHBA në vizitën e tij të parë jashtë vendit që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.

SHARE