KTHIM I MANDATIT DHE MË PAS NË ZGJEDHJE

Kabineti i kryeministrit Zdravko Krivokapiq i ka bërë thirrje koalicionit „E zeza në të bardhë“ që t’ua kthejë mandatin qytetarëve, e më pas, siç thonë ata, të konsultohen me qytetarët në zgjedhje. Kabineti i Krivokapiqit bëri të ditur situatën aktuale politike, duke thënë se kulla e të pavërtetave, e cila ishte baza e ndërtimit të qeverisë së pakicave, po shembet deri në themel.  Siç thanë ata, propaganda agresive se gjoja pas këtij projekti joserioz qëndron bashkësia ndërkombëtare, rezulton e pasaktë. Zyra e Kryeministrit theksoi se është evidente se iniciatorët e kësaj tentative, me këmbëngulje dhe një kohë të gjatë, shpërndanin informacione të pasakta në ambasada dhe adresa të tjera relevante ndërkombëtare, ndërsa morën pjesë me kapacitet të plotë në punën e Qeverisë aktuale dhe e theksuan atë si zgjidhja funksionale dhe më e mirë për periudhën e tranzicionit në rrugën evropiane. “Gjithashtu, në të njëjtën kohë, ata vlerësuan publikisht rezultatet ekonomike dhe reformën e Evropa Tani, e cila sjell paga më të larta dhe një standard më të mirë jetese për qytetarët, që është rezultat i punës së kolegëve të tyre. Tani janë në të njëjtën anë me ata që nuk donin kushte më të mira jetese për qytetarët, por kontestuan programin”, thuhet në deklaratë. Kabineti i Krivokapiqit tha se disa shembuj tregojnë se si funksionon memorandumi dhe nënshkruesit e tij, nga votimi i buxhetit e deri te nënshkrimi i nismës së deputetit për mosbesimin e qeverisë aktuale. Ata thanë se nuk ka nevojë të shikohet më tej se cila është perspektiva dhe si do të funksiononte ai eksperiment nëpërmjet pushtetit ekzekutiv, me, siç u shprehën, kontrollin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve. Sipas tyre, tani më i qartë është aludimi i presidentit Millo Gjukanoviq se në kë ka menduar “kur ka pohuar se sipas marrëveshjes do të zyrtarizohet sërish nisma për mosbesimin e Qeverisë”.

SHARE