DAKORDIM PËR ZGJEDHJEN SA MË TË SHPEJTË TË GJYQTARËVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Ka dakordim të plotë ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe partnerëve tanë evropianë që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur për të kompletuar sistemin tonë juridik dhe për të përmbushur detyrimet nga agjenda e BE-së, tha kryeministri në mandat teknik Dritan Abazoviq gjatë një takimi me shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Podgoricë, Oana Kristina Popa. “E falënderoj edhe një herë Komisionin Evropian për dhënien e 30 milionë eurove për mbështetjen e sektorit energjetik malazez”, tha Abazoviq.

Po ashtu, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se absolutisht pajtohet me shefen e delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Podgoricë, Oana Kristina Popa, për domosdoshmërinë e thirrjes urgjente për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese përmes një procesi që duhet të kryhet në mënyrë gjithëpërfshirëse, në pritje të veprimit të përgjegjshëm të Kuvendit. “Mali i Zi vlerëson vëmendjen e partnerëve evropianë dhe kuptimin e tyre për thellësinë e problemeve që shkaktojnë krizën aktuale,” shkroi Gjukanoviq në Twitter. Siç thekson ai, të gjithë aktorët politikë pro-evropian duhet të jenë të ndërgjegjshëm për seriozitetin e pasojave të zbatimit të një ligji antikushtetues.

SHARE