Gjykata Evropiane e Auditorëve ka konstatuar se rreth 3.8% e shpenzimeve nga fondet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2025 nuk janë kryer në përputhje me rregullat në fuqi.
Nga një total prej rreth 176.3 miliardë eurosh, kjo përqindje përfaqëson afërsisht 6.7 miliardë euro.
Sipas raportit, problemet më të shpeshta lidhen me shkeljet e rregullave të prokurimit publik, si dhe financimin e projekteve ose kostove që nuk i përmbushnin kriteret e pranueshmërisë.
Megjithatë, Gjykata e Auditorëve thekson se norma e vlerësuar e gabimeve nuk është tregues i mashtrimit, joefikasitetit apo shpërdorimit të fondeve, por pasqyron shumat që nuk janë përdorur në përputhje me rregullat e BE-së dhe ato kombëtare.
Veçmas, auditorët raportuan te autoritetet kompetente evropiane 17 raste të dyshuara për mashtrim, të lidhura me shpenzimet e vitit 2025.
Auditorët shqyrtuan gjithashtu pagesat nga Fondi i Rimëkëmbjes pas pandemisë së COVID-19, me vlerë rreth 650 miliardë euro. Sipas raportit, nga 37 pagesat e kryera për shtetet anëtare gjatë vitit 2025, nëntë prej tyre, ose më shumë se një e katërta, nuk ishin në përputhje me rregullat dhe kushtet përkatëse.
Ndër parregullsitë e identifikuara ishin shkeljet e rregullave të prokurimit publik dhe dhënia e fondeve përpara përmbushjes së objektivave të dakorduara për reforma dhe investime.
Komisioni Evropian ka deklaruar se do ta shqyrtojë me seriozitet analizën dhe rekomandimet e Gjykatës Evropiane të Auditorëve.








