RAMA: SAMITI I KOMUNITETIT POLITIK EUROPIAN, VITIN TJETËR MBAHET NË SHQIPËRI

Vitin e ardhshëm, Samiti Politik Europian do të mbahet për herë të parë në Shqipëri.

Lajmin e ka dhënë Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Me lajmin e bukur se Shqipëria do të mikpresë vitin tjetër Samitin e Komunitetit Politik Europian, si një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ku deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, po shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, ka shkruar Kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Të enjten u mbajt në Britani të Madhe takimi i katërt i Komunitetit Politik Europian, ku Kryeministri Edi Rama drejtoi së bashku me Kryeministren italiane Meloni tryezën për emigracionin.

Takimi i këtij komunitetin që në vitin 2025 do të mbahet në Shqipëri, do të jetë i pesti në radhë. Në mbledhjen e Komunitetit Politik Europian marrin pjesë liderë evropianë.

SHARE