OSMANI: SERBIA DHE RUSIA DO TË VAZHDOJNË TË TENTOJNË TA DESTABILIZOJNË KOSOVËN DHE RAJONIN

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti akuzat se Serbia dhe Rusia po vazhdojnë të tentojnë që të destabilizojnë Kosovën, por edhe rajonin.

Osmani këtë deklaratë e bëri pasi mori pjesë në Samitin e katërt të Bashkësisë Politike Evropiane të mbajtur në Pallatin Blenheim, në Mbretërinë e Bashkuar.

“Kemi qenë në tryezën, me shumë liderë të tjerë, ku është diskutuar për mbrojtjen e demokracisë dhe luftimin e dezinformatave. Edhe pse shteti ynë nuk ka lejuar asnjëherë influencë ruse apo të forcave të tjera malinje, megjithatë përderisa shteti fqinj, Serbia, përdoret si satelit i Rusisë dhe përderisa edhe vetë fatkeqësisht i takon mentalitetit të shekullit të kaluar, ata do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë jo vetëm shtetin tonë, por edhe gjithë rajonin dhe nëpërmjet kësaj gjithë kontinentin evropian”, tha Osmani.

Osmani, por edhe krerët e tjerë të institucioneve të Kosovës, kohëve të fundit kanë intensifikuar paralajmërimet e tyre se Rusia, përmes Serbisë, po synon të destabilizojë Kosovën.

Vetë Osmani në të kaluarën e ka quajtur Serbinë si “dorë të zgjatur të Rusisë”, e cila po përpiqet të luajë “lojërat e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”.

Presidentja Osmani tha se gjatë Samitit në Mbretërinë e Bashkuar u takua me liderë të shumtë evropianë, përfshirë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me të cilët ka diskutuar për integrimin euroatlantik të Kosovës, për hapat e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por edhe si të luftohet ndikimi rus.

Osmani e cilësoi Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane si të rëndësishëm, edhe pse tha se nuk është samit formal në kontekstin e vendimmarrjes, por i rëndësishëm pasi në të morën pjesë 46 liderë evropianë.

Gjatë samitit, liderët kanë diskutuar për mbështetjen e Ukrainës, që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia, migrimin, sigurinë energjetike dhe kërcënimin që paraqet Rusia.

SHARE