Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që ishin paraparë të zhvilloheshin më 19 qershor në resortin malor të Burgenstokut nuk do të zhvillohen siç ishin planifikuar, tha Ministria e Jashtme zvicerane përmes një njoftimi të premten.
“Bisedimet e planifikuara mes SHBA-së, Iranit, Katarit dhe Pakistanit janë shtyrë”, u tha në njoftim.
“Zvicra mbetet e gatshme të lehtësojë këto bisedime. Puna përgatitore në Burgnstok po vazhdon. Aktualisht nuk mund të ofrohen informacione të tjera”, u shtua.
Njoftimi vjen pasi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë natës se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka anuluar udhëtimin e planifikuar për në Zvicër, ku parashihej që të takohej me negociatorët iranianë për të nisur bisedimet për një marrëveshje të paqes për t’i dhënë fund luftës.
Shtëpia e Bardhë përmendi sfida logjistike për shtyrjen e udhëtimit të Vance.
Duke përmendur çështje “logjistike”, Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka shtyrë udhëtimin e tij për në Zvicër për bisedime të drejtpërdrejta me Iranin, që ishin paraparë të mbaheshin më 19 qershor.
Bisedimet e 19 qershorit u parapanë të nisnin dy ditë pasi presidentët e të dyja shteteve nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synon përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.
“Logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, raportoi AFP-ja në orët e vona të 18 qershorit.









