TURIZMI NË MAL TË ZI DREJT NJË SEZONI REKORD

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministrja e Turizmit, Simonida Kordiq, deklaroi se sezoni veror turistik në Mal të Zi mund të jetë një nga më të suksesshmit deri më tani.

Sipas të dhënave të 18 qershorit, numri i turistëve në vend është 12.66% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 15.62% më i lartë se në vitin rekord 2019.

Ajo tha se mbi 80% e operatorëve ekonomikë janë të kënaqur me para-sezonin dhe se rezervimet për sezonin kryesor janë shumë premtuese.

Kordiq theksoi se këto rezultate janë pasojë e politikave dhe bashkëpunimit të dy viteve të fundit, duke shtuar se këtë vit sfidat janë të mëdha për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në botë.

Ministrja vuri në dukje rëndësinë e raportit çmim–cilësi dhe përmirësimin e ofertës turistike si faktorë kyç për suksesin e sezonit.

Ajo gjithashtu përmendi rritjen e lidhjeve ajrore, duke thënë se këtë vit janë hapur mbi 20 linja të reja ajrore nga të dy aeroportet e vendit.

Sa i përket ndikimit të situatës në Lindjen e Mesme, ajo pranoi se kjo mund të ndikojë në turizëm, por tha se Mali i Zi ka ruajtur reputacionin si një destinacion i sigurt dhe stabil.

Për të zbutur ndikimet e mundshme, qeveria po forcon tregjet në Evropën Perëndimore, Azinë dhe SHBA, duke diversifikuar burimet e turistëve.

SHARE