KUVENDI PËRSËRI MIRATOI NDRYSHIMET NË LIGJIN PËR GJYKATËN KUSHTETUESE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kuvendi i Malit të Zi miratoi sërish sot ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, pasi presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, e kishte kthyer ligjin për rishqyrtim.

Për ligjin votuan 41 deputetë, ndërsa 15 ishin kundër.

Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, deklaroi se kushdo që ka kundërshtime mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit.

Ndërkohë, Millatoviq po përgatit një iniciativë për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, pasi ai konsideron se një pjesë e tij bie ndesh me Kushtetutën.

Kontestuese është dispozita që lejon gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të vazhdojnë detyrën edhe pas përfundimit të mandatit ose plotësimit të kushteve për pension, deri në zgjedhjen e një gjyqtari të ri.

Sipas Millatoviqit, Kushtetuta përcakton qartë se mandati i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zgjat 12 vjet dhe nuk lejon zgjatje të mandatit.

Ai vlerësoi se ligji i ri e cenon këtë parim kushtetues dhe krijon paqartësi juridike, pasi nuk vendos kufi kohor për vazhdimin e ushtrimit të funksionit.

SHARE