Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me zyrtarë të lartë të shtetit dhe përfaqësues politikë, me fokus integrimet evropiane dhe bashkëpunimin rajonal.
Gjatë vizitës, Camaj u takua me nënkryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, me të cilin u konfirmuan marrëdhëniet e mira dhe miqësore mes dy parlamenteve dhe u shpreh gatishmëria për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Mitreski vlerësoi progresin e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe kërkoi mbështetje për procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve politikë për zhvillimin e shoqërisë. Camaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar, veçanërisht përmes grupeve të miqësisë dhe shkëmbimit të përvojave, duke vlerësuar se të dy vendet kanë potencial të madh për zhvillim dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes integrimeve evropiane dhe bashkëpunimit institucional.
Ai u takua gjithashtu me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me të cilin diskutoi zhvillimet politike në rajon, procesin e integrimeve evropiane, rëndësinë e stabilitetit ndëretnik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve. U theksua rëndësia e dialogut të vazhdueshëm politik dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve si kusht për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Ballkanit Perëndimor.
Në fund të vizitës, Camaj u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ku u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe u theksua nevoja për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar dhe rajonal. Të dy palët u shprehën të përkushtuara për vazhdimin e rrugës evropiane, forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.










