MILLATOVIQ: NËSE DINAMIKA NË QERSHOR NUK DO TË JETË E MIRË, DIKUSH DO TË DUHET TË MARRË PËRGJEGJËSI

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, gjatë një konference të përbashkët me presidenten e Moldavisë, Maia Sandu, përsëriti se Mali i Zi ka si qëllim të bëhet anëtar i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.

“Shpesh flas për dinamikën, veçanërisht në kontekstin e agjendës reformuese në këtë plan të brendshëm. Mendoj se kjo dinamikë është mjaft e ngadaltë. Mendoj se gjatë dy viteve të fundit mund të kishim mbyllur shumë më tepër se vetëm tre kapituj negociatorë. Mendoj se në mes të këtij viti, pas konferencës ndërqeveritare të ardhshme, duhet të tërhiqet një vijë dhe nëse dinamika nuk do të jetë e mirë, dikush duhet të marrë përgjegjësinë politike,” tha presidenti Millatoviq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Ai theksoi se Mali i Zi nuk ka kohë për të humbur, për politika që nuk janë mjaft përgjegjëse dhe serioze, dhe se qytetarët e Malit të Zi nuk kanë kohë për gjëra që e devijojnë vendin nga rruga evropiane.

„Në këtë kuadër, pritshmëritë e mia janë që gjërat të përshpejtohen, dhe nëse ato nuk përshpejtohen, do ta shohim në konferencën e ardhshme ndërqeveritare, përsëris, mendoj se duhet të tërhiqet një vijë, dhe se dikush duhet të japë përgjigje për shoqërinë e Malit të Zi dhe në fund, për shkak të dinamikës së dobët, të marrë përgjegjësinë politike,” deklaroi presidenti Millatoviq.

Ai theksoi se Mali i Zi, si kandidati më i avancuar për anëtarësim, duhet të bëjë më shumë në planin e brendshëm.

„Më duket se momentalisht Evropa do të dëshironte ta shihte Malin e Zi si pjesë të BE-së më shumë se sa ne këtu, në Malin e Zi, po mundohemi të realizojmë disa reforma. Unë nuk shoh se është bërë ndonjë gjë në lidhje me Ligjin për Kuvendin, Ligjin për Qeverinë, kërkesën për reformën e ligjit zgjedhor, dhe shumë gjëra të tjera që janë pjesë e paketës reformuese. Dhe mendoj se fokusi duhet të jetë vërtet aty,” tha ai.

Ai theksoi se Mali i Zi është i gëzuar për çdo avancim të vendeve të tjera kandidate, përfshirë Moldavinë.

„Dëshiroj që në këtë rast të uroj presidenten Sandu për gjithçka që Moldavia ka bërë, në një situatë shumë të vështirë, kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të këtij vendi. Dhe jo vetëm Moldavisë, por edhe presidentes si individ, e cila, siç e dini të gjithë, është kampione e rrugës evropiane në Moldavi dhe mund të jetë një shembull për shumë të tjerë në mbarë Europën, kur bëhet fjalë për përpjekjet reformuese dhe rrugën evropiane,” theksoi presidenti Millatoviq.

SHARE