STANO: MOS ZBATIMI I MARRËVESHJEVE DO TË KETË PASOJA TË RËNDA

Në 11-vjetorin e marrëveshjes së parë të nënshkruar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë BE ka paralajmëruar me pasoja të rënda të dyja palët nëse nuk reflektojnë për zbatimin e angazhimeve të marra në dialog.

Zëdhenësi Stano ka theksuar se çështja e themelimit të bashkësisë së komunave serbe është thelbësore dhe duhet vënë urgjentisht në zbatim. 

“Në historinë e dialogut, kemi një sërë përvjetorësh. Jo shumë kohë më parë, shënuam përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe në rastin e kësaj marrëveshjeje, e kemi qartësuar se zbatimi është çelësi, çka vlen edhe për marrëveshjet e tjera. Duhet të zbatohen. Çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente, dhe BE-ja së bashku me partnerët ndërkombëtar,kemi qenë dhe mbetemi të qartë me Kosovën se ata duhet t’a implementojnë atë sepse dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja,” tha Stano.

Stano ka thënë se progresi në zbatimin e këtyre marrëveshjeve është i lidhur drejtpërdrejt me përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e anëtarësimit në BE.

“Nëse shtetet nuk bëjnë hapa në zbatimin e detyrimeve të tyre, do të ketë pasoja serioze. Të vetmit që do ta pësojnë, do të jenë populli që ata pretendojnë se e mbrojnë ose veprojnë në interes të tyre. Të vetmit që do të paguajnë për këtë, do të jenë njerëzit në Kosovë e Serbi, nëse nuk ka lëvizje në përmbushjen e zotimeve që janë marrë në kuadër të dialogut,” theksoi zëdhënësi.

Marrëveshja e 19 Prillit të 2013-ës e nënshkruar asokohe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, synonte të normalizonte raportet mes dyja vendeve. Deri tani nën sanksione është vetëm Kosova për mos zgjidhjen e situatës me kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri.

SHARE