OPOZITA PROTESTON SËRISH PARA BASHKISË SË TIRANËS, SHBA DHE BE I DËNOJNË AKTET E DHUNËS

Protesta janë thirrur nga Rithemelimi, grupimi më i madh i deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë brenda Partisë Demokratike, dhe Partia e Lirisë e ish-presidentit, Ilir Meta.

Atyre iu bashkuan më vonë edhe përfaqësues nga “Aleanca Kundër Shembjes së Teatrit Kombëtar” dhe qytetarë. Sipas opozitës, pas korrupsionit dhe pastrimit të parave për të cilat po hetohen zyrtarët vendorë “fshihet” kryetari Veliaj.

Për këtë çështje, opozita e ka akuzuar edhe Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë (SPAK), se nuk po vepron kundër kryebashkiakut. Pas akteve të dhunës gjatë protestës reaguan ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

“E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune”, tha Ambasada amerikane në një reagim.

Zyra e BE-së tha se e dënon “fuqishëm dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë”.

“Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në Tiranë.

SHARE