AMBASADA E MALIT TË ZI NË KOSOVË ORGANIZOI PROGRAMIN SOLEMN “DITA E ULQINIT – FOLKLORI I ULQINIT”

Mbrëmë në ambientet e hotel „Emerald“ u mbajt programi solemn “Dita e Ulqinit – Folklori i Ulqinit”, organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë. 

Ulqinakët, Kosovën e konsiderojnë partnerë të pazëvendësueshëm në të gjitha aspektet, turistike, kulturore, arsimorë, biznesore si dhe ato familjare.

Në gala mbrëmjen falënderuese ndaj Kosovës me mbi 500 të pranishëm që u mbajt të enjten, ulqinakët premtuan mikpritje të vazhdueshme për turistët nga Kosova, përfshirë edhe diasporën.

Theks të veçantë ulqinakët i vënë edhe investimeve të përbashkëta në mes pronarëve të hoteleve të Kosovës dhe atyre të Ulqinit. Për këtë vit u premtua përplot risi në ofrimin e shërbimeve turistike si dhe në plotësimin e kërkesave të turistëve kosovarë.

Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se turizmi mbetet shtylla kryesore e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Ulqinit.

Ajo tha se Kosova është shtëpia e dytë e Ulqinit, ashtu siç Ulqini ka qenë gjithmonë shtëpi e Kosovës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se bashkëpunimi i vazhdueshëm me Malin e Zi do të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.

Ai tha investimet politike, ekonomike dhe ato kulturore duhet të shtohen në mes të dy shteteve.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari theksoi se shumë investime madhore në bregdet janë investime kosovare.

Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka ndër të tjera tha: „Mali i Zi dhe Republika e Kosovës ushqejnë marrëdhënie të mira fqinjësore, zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal në të gjitha fushat me interes të përbashkët.“

Po ashtu, drejtori i Organizatës Turistike në Ulqin, Qazim Hoxhiq tha se numri i vizitorëve të Kosovës në Ulqin është në rritje dhe për këtë arsyeje në pjesën bregdetare të Ulqinit është duke u punuar në plotësimin e kërkesave.

Ai tha se po punohet në plotësimin e kërkesë së kamotshme për ndërtimin e hoteleve me pesë yje.

Sezoni turistik ditëve të ardhshme do të nis me festivalin “May Fest”, për të vijuar më pas edhe me shumë koncerte të tjera pranë bregdetit ulqinak.

Manifestimi mblodhi së bashku mbi pesëqind mysafirë nga Mali i Zi dhe Republika e Kosovës nga fusha e turizmit, hotelierisë dhe biznesit.

SHARE