MARRËVESHJA NË OHËR NJË GARANCI MË SHUMË PËR PAQEN, STABILITETIN DHE TË ARDHMEN E RAJONIT NË BE

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur arritjen e dakordësimit publik mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimit për të zbatuar marrëveshjen bazë dhe të aneksit përkatës.

Sipas tij, ky dakordësim është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Përshëndes arritjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut të dakordësimit publik mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimit për të zbatuar marrëveshjen bazë dhe të aneksit përkatës. Ky dakordësim është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian. Besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët. Falënderoj Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme”, shkruan Begaj.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar takimin maratonë të mbajtur në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte”, tha Rama përmes një postimi në Twitter, ndërsa theksoi se shpreson që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër dredhi ballkanike.

Kreu i qeverisë e quajti një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit.

“Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër dredhi ballkanike! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit. Dhe le t’i urojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së sotme të Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e nënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, ka shkruar Rama në Twitter.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, ka përshëndetur dakordësimin e arritur në takimin e Ohrit të datës 18 mars.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, ka përshëndetur dakordësimin e arritur në takimin e Ohrit të datës 18 mars.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Nikolla shkruan se kjo shënon një hap të rëndësishëm në zbatimin e marrëveshjes, sipas aneksit të planit evropian.

“Normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë shënoi një hap të qëndrueshëm përpara, me dakordësimin në takimin e Ohrit për hapat praktikë për zbatimin e marrëveshjes, sipas aneksit të planit evropian.

Pajtimi me propozimet, zbatimi i këtij plani dhe dialogu mes dy vendeve do t’i kontribuojë prosperitetit e paqes në rajon dhe avancimit të tyre drejt familjes evropiane.

Mirënjohje BE dhe ShBA për kontributin!”, shprehet Nikolla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar të rëndësishme pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre obligimeve, në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës dhe rajonit”, ka thënë ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twitter.

SHARE