DEPUTETËT SOT MIRATUAN DY NGA TRE LIGJET QË PRESIDENTI I MALIT TË ZI I KTHEU PËR RISHQYRTIM

Deputetët sot miratuan dy nga tre ligjet që presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i ktheu për rishqyrtim.

Me votat e shumicës u rimiratua Ligji për financimin e vetëqeverisjes lokale.

Kuvendi me shumicë votash miratoi edhe Ligjin për ndryshimin e ligjit për shoqëritë afariste.

Para votimit protestuan deputetët e Lëvizjes Qytetare URA, duke theksuar se projektligji është një tentativë për të poshtëruar dhomën legjislative.

Presidenti Millatoviq e ktheu projektligjin për ndryshime në Ligjin për Komunikime Elektronike, por dje nënkryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Zdenka Popoviq e tërhoqi atë nga procedura parlamentare.

Ai ligj nuk u miratua sot.

“Pas konsultimeve dhe diskutimeve me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Malit të Zi për Siguri, Politikë të Brendshme, Evropiane dhe Punë të Jashtme Alleksa Beçiq, zëvendëskryeministrin e Qeverisë dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj, si dhe ministren për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq, dhe duke pasur parasysh qëndrimin e Komisionit Evropian, si propozues i autorizuar e tërheq Propozimin për Ligjin për Komunikimet Elektronike”, ka thënë Popoviq.

Siç shpjegoi ajo, pavarësisht se mendon se është një zgjidhje e mirë ligjore, me dëshirën për t’i dhënë pak kohë Komisionit Evropian për të mësuar mbi avantazhet e këtij ligji, ajo e tërheq këtë propozim për të mos lejuar subjektet politike brenda vendit për të manipuluar pikëpamjet e Komisionit Evropian.

SHARE