ABAZOVIQ: MALI I ZI DUHET TË PËRFITOJË NGA MUNDËSITË E ZHVILLIMIT

Kryeministri Dritan Abazoviq foli në Forumin Ekonomik Botëror në Davos me investitorë nga Kuvajti dhe Koreja e Jugut për investimet në sektorët e energjisë dhe inovacionit dhe vlerësoi se Mali i Zi duhet të përfitojë nga këto mundësi zhvillimi. “Kur bëhet fjalë për takimin me presidentin e Koresë së Jugut, ekonominë e dhjetë në botë dhe me kompani të shumta dhe drejtorin e Hyundai, mendoj se dëshira e Koresë së Jugut për të qenë e pranishme në këtë pjesë të Evropës, veçanërisht në vendet si Mali i Zi, është vërtet e madhe dhe duhet ta shfrytëzojmë”, beson Abazoviq. “Kemi folur për energjinë, por edhe për inovacionet. Kjo është ajo që i intereson Koresë së Jugut. Është folur për aeroportet e Malit të Zi dhe për momentin nuk kemi një vendim përfundimtar për këtë, por është e rëndësishme që të shfaqen tregje të reja”, ka vlerësuar Abazoviq. Ai tha se kur bëhet fjalë për një kompani të madhe që merret me aviacion, fokusi është te aeroporti i tretë në Mal të Zi. Ai vlerësoi se do të ishte mirë nëse ndonjëherë e shohim veten ashtu siç na shohin të tjerët. “Të tjerët e shohin Malin e Zi si një vend unik. “Ata nuk i shohin disa nga problemet tona të brendshme, as nuk janë shumë të interesuar, por na shohin si një vend që është i sigurt, në të cilin u pëlqen të vijnë dhe një vend që është i paeksploruar,” tha Abazoviq. Abazoviq shtoi se Mali i Zi është në rrugën e duhur, Mali i Zi e di drejtimin e tij dhe vetëm duhet të përfitojë nga shanset e tij. “Jam i sigurt se do t’i shfrytëzojmë ato shanse”, tha Abazoviq.

SHARE