SERBI, NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE KRYESON LISTA E ALEKSANDAR VUÇIQ

Lista zgjedhore e presidentit aktual serb, Aleksandar Vuçiq prin në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Lista zgjedhore “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet” kryeson në zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë me 46.85 për qind të votave të fituara në bazë të rezultateve të përpunuara të 7.846 vendvotimeve nga gjithsej 8.273 vendvotime.

E dyta për nga përqindja e votave të fituara është lista e opozitës “Serbia kundër dhunës” me 23.37 për qind të fituara deri më tani dhe e treta “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë” me 6.59 për qind. Pragun zgjedhor prej 3 për qind deri më tani e kanë kaluar këto lista: “Shpresa për Serbinë” me 5.02 për qind, “Ne – Zëri i Popullit” me 4.68 për qind.

Nga gjithsej 18 lista zgjedhore, në zgjedhjet parlamentare në Serbi kanë marrë pjesë 7 lista të pakicave kombëtare. Sipas ligjeve serbe, pragu zgjedhor prej 3 për qind për të hyrë në Parlamentin e Serbisë nuk vlen për listat e pakicave kombëtare.

Kështu, lista e Lidhjes së Hungarezëve të Vojvodinës fitoi 1.72 për qind, lista e Usame Zukorliç “Të Bashkuar për Drejtësi” – Aleanca Demokratike e Kroatëve të Tomislav Zhigmanov në Vojvodinë – 0.78 për qind, SDA Sanxhak – dr. Sulejman Ugljanin 0.6 për qind, lista “Lufta Politike e Shqiptarëve vazhdon” – Shaip Kamberi 0.38 për qind, Lista e Partisë Ruse – Sllobodan Nikoliq 0.3 për qind dhe Alternativa Demokratike Shqiptare 0.09 për qind.

Në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe zgjedhjet për këshilltarë në 65 vetëqeverisje lokale, të cilat u mbajtën të dielën në Serbi, pjesëmarrja në votime ishte pak më shumë se 58 për qind. Të drejtë vote kishin 6.500.666 votues. Qytetarët mund të përcaktoheshin për një nga 18 listat në nivel kombëtar.

SHARE