KQZ-ja I HAP RRUGË ORGANIZIMIT TË PETICIONEVE PËR LARGIMIN E KRYETARËVE NË VERI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka hapur rrugë organizimit të peticioneve për largimin e kryetarëve në tri komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, pasi i ka kthyer përgjigje zyrtare kërkesës së tre kryesuesve të kuvendeve komunale për komunat përkatëse, njoftoi të hënën zëdhënësi i komisionit, Valmir Elezi.

Elezi tha se KQZ-ja i ka njoftuar kryesuesit e tri kuvende komunale, tri grupeve nismëtare dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës (MAPL), lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komunave “mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind”.

“KQZ-ja, përmes këtyre tri përgjigjeve të ndara, ka njoftuar se anëtarët e tri grupeve nismëtare janë votues të komunave përkatëse”, tha Elezi.

Ai tregoi edhe për numrin e përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote në tri komunat Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, si dhe numrin e saktë të votuesve që përbëjnë 20 për qind të trupit votues në secilën komunë, që është i nevojshëm për shkarkimin e një kryetari komune përmes peticionit.

Ai tha se nga komuna e Zveçanit komisioni nuk ka pranuar asnjë kërkesë të ngjashme.

Më 7 dhjetor, katër grupe nismëtare, veç e veç, secili i përbërë nga tre qytetarë, u dorëzuan kryesuesve të kuvendeve komunale të katër komunave në veri kërkesat për inicimin dhe organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve të komunave.

Ky është ndër hapat e parë që parashihet me Udhëzimin Administrativ, të cilin MAPL e nxori në shtator, për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, por u hodh poshtë.

SHARE