Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në mesditë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, për të kundërshtuar kësisoj vendimin dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Organizatorët kanë paraqitur katër kërkesa për institucionet e vendit, për të cilat e kanë kërkuar mbështetjen e protestuesve përmes brohoritjeve.
Kërkesa e parë ishte shfuqizimi ose ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Si kërkesë të dytë, organizatorët kërkuan nga kryeministri Albin Kurti shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Kërkesa e tretë ishte mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.
Ndërsa kërkesa e katërt ishte angazhimi i ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.
Organizatorët thanë se këto kërkesa synojnë të shprehin qëndrimin e tyre pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“UÇK-ja jemi ne, UÇK-ja është shteti i Kosovës dhe ne nuk do të lejojmë të na merrni atë që e kemi fituar me gjak”, u tha në fund të protestës, teksa qytetarëve të mbledhur iu kërkua që shpërndahen të qetë.
Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka mbajtur fjalim në protestën e organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gucati tha se tubimi është thirrur për të ngritur zërin kundër padrejtësisë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai kërkoi që vendimi i Speciales të shfuqizohet dhe që, siç tha, të merret parasysh qëndrimi i qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Gucati kritikoi edhe institucionet e Kosovës për mungesë reagimi ndaj vendimit, ndërsa kërkoi sqarime lidhur me dokumentacionin dhe informacionet e përdorura në proceset gjyqësore në Hagë.
Në fjalimin e tij, ai bëri thirrje për bashkim të veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe qytetarëve në mbështetje të UÇK-së dhe kundër, siç tha ai, padrejtësive ndaj saj.
Gucati gjithashtu kritikoi mos reagimin e ministres së drejtësisë, Donika Gërvalla, duke kërkuar njëherësh shkarkimin e saj nga kjo detyrë.








