REAGIM PËR TRANSPORTIMIN E MBETURINAVE (ZHAVORRIT) NGA NIKSHIQI NË DEPONINË NË TERRITORIN E KOMUNËS SË TUZIT

Kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ka reaguar në lidhje me transportimin e mbeturinave (zhavorrit) nga Nikshiqi në Deponinë në territorin e komunës së Tuzit.  

„Me pakënaqësi dhe shqetësim të madh mora informacionin se mbeturinat nga Nikshiqi sillen në deponinë e komunës sonë, pa asnjë konsultim apo pëlqim paraprak të vetëqeverisjes lokale dhe qytetarëve. Kjo është absolutisht e papranueshme dhe paraqet një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve tanë,“ thotë Gjelaj.  

Ai theksoi se komuna e Tuzit nuk do të lejojë që ajo të bëhet deponi për qytetet e tjera dhe shtoi se aktualisht janë duke analizuar të gjitha opsionet ligjore dhe do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për ta ndaluar këtë.  

„U bëjmë thirrje organeve kompetente shtetërore që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalojnë këtë aktivitet të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm që kërcënon komunitetin tonë. Dua të jem i qartë – mbrojtja e shëndetit dhe mjedisit të qytetarëve tanë është prioriteti ynë absolut dhe ne nuk do të devijojmë nga ky angazhim. Presim një sqarim urgjent nga të gjitha institucionet përkatëse dhe marrjen e masave adekuate për zgjidhjen e kësaj situate në një kohë sa më të shkurtër,“ thuhet në reagimin e kryetarit Gjelaj.

SHARE