QEVERIA MIRATON STRATEGJINË KOMBËTARE PËR BIODIVERSITETIN 2026–2031

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar propozimin për Strategjinë Kombëtare të Biodiversitetit për periudhën 2026–2031, së bashku me një plan veprimi dyvjeçar.

Ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq, tha se dokumenti përcakton prioritetet, objektivat dhe masat për mbrojtjen, ruajtjen, rikuperimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit. Sipas tij, biodiversiteti është një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të vendit, pasi kontribuon në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin ekonomik, turizmin, bujqësinë dhe pylltarinë.

Ekosistemet natyrore sigurojnë gjithashtu shërbime jetike për qytetarët, si furnizimi me ujë të pijshëm, mbrojtja nga erozioni dhe përmbytjet, rregullimi i proceseve klimatike dhe ruajtja e pjellorisë së tokës.

Objektivi kryesor i strategjisë është ndalimi i humbjes së biodiversitetit, përmirësimi i gjendjes së specieve dhe habitateve, rikuperimi i ekosistemeve të dëmtuara dhe rritja e qëndrueshmërisë së natyrës ndaj ndryshimeve klimatike dhe presioneve të tjera mjedisore.

Dokumenti parashikon krijimin e mekanizmave afatgjatë financimi për mbrojtjen e biodiversitetit, duke përdorur fonde nga buxheti i shtetit, fondet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe burime të tjera.

Strategjia promovon gjithashtu barazinë gjinore, përfshirjen sociale dhe pjesëmarrjen aktive të publikut në vendimmarrje, duke theksuar rolin e komuniteteve lokale, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve shkencore, sektorit privat, grave dhe të rinjve.

Plani i veprimit për periudhën 2026–2028 përfshin masa konkrete si përmirësimi i kuadrit ligjor, zhvillimi i sistemeve të monitorimit, restaurimi i ekosistemeve të degraduara, zgjerimi i zonave të mbrojtura, krijimi i rrjetit Natura 2000, forcimi i kapaciteteve institucionale dhe zhvillimi i aktiviteteve edukative dhe promovuese për mbrojtjen e natyrës.

SHARE