Një sulm me dron ka shkaktuar zjarr në një central bërthamor në Emiratet e Bashkuara Arabe, thanë zyrtarët të dielën, ndërsa Arabia Saudite raportoi se kishte rrëzuar tre dronë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Irani duhet të veprojë “shpejt”, pasi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës duket se kanë ngecur.
Zyrtarët e Emirateve thanë se po hetojnë burimin e sulmit dhe se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë të drejtën e plotë për t’iu përgjigjur “sulmeve të tilla terroriste”.
Një këshilltar diplomatik i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe tha se kjo përbën një përshkallëzim të rrezikshëm, pavarësisht nëse është kryer nga “autori kryesor” apo nga një prej përfaqësuesve të tij.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se dy dronë të tjerë janë interceptuar “me sukses” dhe se dronët janë lëshuar nga “kufiri perëndimor”.
Arabia Saudite tha se tre dronët e kapur hynë nga hapësira ajrore e Irakut dhe paralajmëroi se do të marrë masat e nevojshme operative për t’iu përgjigjur çdo përpjekjeje për shkeljen e sovranitetit dhe sigurisë së saj.
Ndërsa armiqësitë gjatë konfliktit me Iranin janë ulur që nga hyrja në fuqi e një armëpushimi në prill, dronë janë lëshuar nga Iraku drejt vendeve të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite dhe Kuvajtin.
Droni që depërtoi mbrojtjen e Emirateve të Bashkuara Arabe goditi një gjenerator elektrik jashtë perimetrit të brendshëm të centralit bërthamor Barakah.
Nivelet e sigurisë radiologjike nuk u prekën dhe nuk pati të lënduar, thanë zyrtarët.
Autoriteti Federal i Emirateve të Bashkuara Arabe për Rregullimin Bërthamor konfirmoi më vonë se centrali mbeti i sigurt, pa asnjë rrjedhje të materialit radioaktiv pas sulmit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se gjeneratorët emergjentë me naftë po furnizonin me energji “njësinë 3” të centralit dhe bëri thirrje për “përmbajtje maksimale ushtarake” pranë çdo centrali bërthamor, duke shtuar se po e ndjek situatën nga afër.









