APELI KTHEN TARIFAT E VJETRA TË RRYMËS NË KOSOVË

Në Kosovë pritet të rikthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja. Apeli ka vendosur pas ankesës së ZRRE-së, duke thënë se ishte e pabazuar. “Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”, thuhet në një komunikatë për media të Gjykatës së Apelit. Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill kishte marrë vendimin për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

SHARE