RAUND I RI I DIALOGUT NË BRUKSEL PËR ÇËSHTJEN E DINARIT SERB

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen më 18 Prill në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për të diskutuar për një zgjidhje për çështjen e dinarit të Serbisë.

Takimet nisin në mëngjes, sipas praktikës së mëhershme. Fillimisht, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, do të takohet ndaras me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç, dhe më pas do të ketë një takim dypalësh me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Më vonë, pritet të ketë edhe një takim trepalësh.

Ky është takimi i tretë mes kryenegociatorëve, dhe i katërti mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes që lidhet me transferimin e mjeteve financiare nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ditë më parë tha se në të synohet gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Më 1 Shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave. Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Rundi i fundit i bisedime për këtë çështje mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 Prill. Pas atij takimi, Bislimi deklaroi se palët ende kanë “dallime të mëdha”, ndërkaq Petkoviç tha se Kosova nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.

SHARE