CAMAJ: DO TË RISHQYRTOHEN MARRËDHËNIET BRENDA SHUMICËS PARLAMENTARE

Marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare do të rishqyrtohen, tha për Televizionin E deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj.

Ky reagim erdhi pasi deputeti i Lëvizjes „Evropa Tani“ Vasilije Çarapiq abstenoi gjatë votimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Camaj do të insistojë në përgjigjen se pse Çarapiq ndryshoi mendje në Strasburg.

“Për sa na përket neve, e nënshkruar apo e panënshkruar, çdo gjë për të cilën kemi rënë dakord do të respektohet deri në fund. Ne nuk do të lejojmë që të mos na respektojnë. Unë jam ende në Strasburg dhe nuk kam pasur rast të flas me Çarapiqin, të shohim se cilat janë arsyet që ai të ndryshojë mendim, sepse ai erdhi në Strasburg me një mendim tjetër. Ne kërkojmë shpjegim se çfarë ka ndodhur ndërkohë”, thekson Camaj.

Ai thotë se është i vetëdijshëm se politika serbe ka qenë aktive dhe prezente dhe se ka disa presione.

Ai theksoi se askush nuk duhet të luajë me politikën shtetërore.

“Mendoj se ka disa detyrime në lidhje me Marrëveshjen e nënshkruar. Votën e Maja Vukiçeviqit e kuptova për shkak të pikëpamjeve të saj të njohura dhe mënyrës se si i prezantoi ato. Në fund të fundit, zëri i deputetit duhet të jetë i lirë. Por, këtu ka një histori tjetër dhe nuk mund të kem mirëkuptim për një mënyrë dhe qëndrim të tillë ndaj një çështjeje të rëndësishme të politikës së jashtme të Malit të Zi”, thotë Camaj.

Javën e ardhshme, deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, do të inicojë bisedën dhe do të kërkojë shpjegim nga partnerët e koalicionit për lëvizjen e Çarapiqit.

Ai thekson se Marrëveshja e nënshkruar duhet të respektohet.

„Kush nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, nuk mund të llogarisë në Forumin Shqiptar”, ka theksuar Camaj.

SHARE