Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi ka regjistruar 759 raste të kollës së mirë nga fillimi i nëntorit të kaluar, deri me 17 mars të këtij viti.
Më 12 mars, në Institut u raportua një vdekje si pasojë e kollës së mirë.
“Sipas të dhënave që disponojmë, i ndjeri ishte i moshës 80 vjeçare, nga Podgorica, vuante nga disa sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe të frymëmarrjes dhe ishte trajtuar në Brezovik”, sqaron Instituti.
“Tek 669 persona është vërtetuar sëmundja me mjete laboratorike (PCR ose analiza serologjike), ndërsa te 90 persona është raportuar në bazë të shfaqjes së simptomave karakteristike të sëmundjes pas kontaktit të ngushtë me pacientin”, njofton ISHP.
Nga mesi i dhjetorit deri më 17 mars 2024, epidemitë e pertusisit janë raportuar nga shërbimet kompetente epidemiologjike në Podgoricë, Danillovgrad, Tivar, Berane, Nikshiq, Budva, Cetinë, Bijello Pole, Tivat dhe Herceg Novi.
“Veçanërisht u bëjmë thirrje grupeve të ndjeshme, pra familjarëve të tyre dhe të gjithë personave që bien në kontakt me ta, të jenë shumë të kujdesshëm dhe krahas vaksinimit në kohë të fëmijëve, të zbatojnë masat e përgjithshme parandaluese (shmangia e kontaktit të ngushtë me foshnjat dhe fëmijët e vegjël kur kemi simptoma të infeksioneve të frymëmarrjes ose vendosje rreptësisht korrekte të maskës nëse kontakti nuk mund të shmanget, shkuarja te mjeku për testim dhe përfshirja e terapisë adekuate me antibiotikë) për të reduktuar rrezikun e infektimit me kollën e mirë dhe transmetimin e mëtejshëm të sëmundjes”, thuhet në njoftimin e ISHP.