NUK KA ASNJË ARSYE PSE PRINDËRIT TË MOS VAKSINOJNË FËMIJËT E TYRE

Shteti ka ofruar vaksina falas, të sigurta dhe efektive, andaj nuk ka arsye që prindërit të mos u ofrojnë fëmijëve të tyre një jetë më të shëndetshme, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Igor Galliq. 

Siç njofton ISHP, Galliq në Ulqin, ku u organizua “Karvani i katërt i Shëndetit”, ka thënë se vaksinat mbi të gjitha u mundësojnë fëmijëve një jetë më të pasur dhe më të shëndetshme.

Ai theksoi veçanërisht vaksinimin kundër virusit papilloma humane (HPV), i cili është shkaktari më i shpeshtë i kancerit në popullatën e Malit të Zi, duke theksuar se kjo vaksinë mund të parandalojë sëmundjen.

Shefja e zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Mal të Zi tha se karvani është një mundësi për komunikim të dyanshëm që do t’u mundësojë qytetarëve të marrin përgjigje për shumë pyetje të rëndësishme në lidhje me vaksinimin kundër COVID 19, si dhe vaksinimin MMR dhe HPV. 

Siç shtoi ajo, për punëtorët shëndetësorë është një mundësi për të kuptuar më mirë nevojat shëndetësore të qytetarëve të Ulqinit, e veçanërisht pengesat për mbulimin optimal të vaksinimit.

Menaxherja e Komunës së Ulqinit, Ivana Karagjinoviq, vlerësoi se është shumë e rëndësishme që të gjithë të punojnë së bashku për të promovuar dhe rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e imunizimit. 

Drejtoresha e Shtëpisë Shëndetësore të Ulqinit Sadije Hollaj  tha se është mbajtur një ngjarje shumë e rëndësishme dhe e dobishme.
Siç tha ajo, qytetarët mund të merrnin informacione të dobishme nga mjekë të përzgjedhur, pediatër dhe epidemiologë për të gjitha pyetjet dhe arsyet pse deri më tani hezitonin për vaksinimin. 




SHARE