I DËRGUARI I POSAÇËM I QEVERISË GJERMANE PËR BALLKANIN PERËNDIMOR VIZITË NË SHQIPËRI

I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, po realizon një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Në një deklaratë pas takimit, ministrja Xhaçka tha se Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga mbështetëset më të vendosur të integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në Bashkimin Evropian (BE). “Kriza e shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërcënimet ndaj të gjitha shteteve që e kanë mbështetur vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, kanë rritur rrezikun e destabilizimit të disa shteteve të rajonit, ashtu siç përfshirja e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi në listën e shteteve jomiqësore të presidentit Putin ka nxjerrë qartë në pah objektivat e Rusisë dhe politiken e saj të ndërhyrjes në Ballkanin Perëndimor”, tha Xhaçka, duke theksuar se rajoni ka nevojë për një qasje strategjike nga ana e BE-së. Ndër të tjera, ajo shtoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti në rajon.Sarrazin, nga ana e tij, tha se perspektiva e anëtarësimit të gjithë rajonin në BE për Gjermaninë është e një rëndësie strategjike. Ai theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfitojnë nga bashkëpunimi rajonal. Duke theksuar se Shqipëria dhe Gjermania bashkëpunojnë ngushtë në disa fusha, ai tha se, “Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të shkëlqyera. Bashkëpunojmë ngushtë edhe në forumet ndërkombëtare të rëndësishme”. “Agresioni i pakuptimtë i president rus ndaj një shteti sovran në Evropë evidenton qartë se arritjet evropiane, jeta në një zonë të hapur lirie dhe mirëqenie, nuk janë diçka e vetëkuptueshme dhe ne duhet çdo ditë të angazhohemi për mbrojtjen dhe konsolidimin e tyre”, tha Sarrazin

SHARE