MALI I ZI DO TË VAZHDOJË TË MBËSHTESË KOSOVËN NË RRUGËN E SAJ DREJT ANËTARËSIMIT NË ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka dërguar një mesazh urimi kryeministrit Albin Kurtit, me rastin e festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në urimin e tij, Abazoviq shpreh kënaqësinë që, siç tha, mund të deklarojë se dy vendet tona vazhdojnë të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim të hapur, me qëllim përmbushjen e prioriteteve dhe synimeve të përbashkëta të politikës së jashtme.

Si konfirmim për këtë, ai përmendi vizitën e fundit zyrtare të Presidentes Osmani-Sadriu në Mal të Zi, gjatë së cilës, siç tha ai, në një atmosferë të relaksuar dhe miqësore janë shkëmbyer qëndrime dhe mendime për temat aktuale.

“Unë jam i mendimit se përmirësimi i lidhjes ekonomike dhe infrastrukturore duhet të bëhet prioritet në marrëdhëniet tona dhe aktivitetet e mëtutjeshme të përbashkëta. Jam i bindur se stabiliteti afatgjatë i rajonit tonë mund të sigurohet vetëm me integrimin e Kosovës në Evropë dhe strukturat euro-atlantike. Në këtë kontekst, Mali i Zi, si edhe më parë, do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje Kosovës në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizatat dhe iniciativat relevante rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në urimin e Abazoviq.

SHARE