MIKIQ: QEVERIA ME 16 APO 18 MINISTRI DHE TRE NËNKRYETARË

Lëvizja Qytetare URA shprehet e kënaqur me dinamikën e negociatave për formimin e qeverisë së re. Drejtori ekzekutiv i LQ URA, Zoran Mikiq, tha për Radion e Malit të Zi se kanë zhvilluar dy raunde konsultimesh dhe se në negociata kanë marrë pjesë përfaqësues të partive me 70 deputetë në Parlamentin e Malit të Zi. “E kemi përfunduar fazën rreth pjesës programore dhe është më së shumti e harmonizuar. Mbetet të shihet struktura dhe vendimet e personelit në Qeveri, që palët të vendosin nëse kjo që kemi propozuar është e pranueshme për ta, në radhë të parë dua të them kolegët e PSP-së”, tha Mikiq. Ai tha se janë afër definimit të strukturës së qeverisë, e cila do të ketë 16 apo 18 ministri, me tre nënkryetarë. Ai bëri të ditur se do të ketë ndarje të ministrive që rezultuan jofunksionale, si Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit dhe Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale. Ai tha gjithashtu se për të përshpejtuar negociatat me BE-në, duhet të formohet një Ministri e re e Çështjeve Evropiane, e cila do të koordinojë punën e të gjitha ministrive në fushën e mbylljes së negociatave dhe përmbushjes së obligimeve tona në rrugën drejt BE. “Ne presim që të gjithë të vendosin dhe të shohim se kur mund të kalojmë në fazën tjetër, që do të thotë që presidenti të konsultohet me të gjitha partitë politike dhe pastaj të caktojë një mandat pasi të jetë e qartë nëse ka shumicë për formimin e qeverisë së re,” tha Mikiq.

SHARE