POPA: MALI I ZI DUHET TË PËRFUNDOJË REFORMAT QË JANË NË PRITJE

Mali i Zi duhet të përfundojë disa reforma në pritje dhe më pas të mbyllë kapitujt, shumë prej të cilëve teknikisht janë gati për t’u mbyllur, tha ambasadorja e Bashkimit Evropian (BE) në Podgoricë, Oana Kristina Popa.

Ajo në seancën e Komisionit për Integrime Evropiane tha se mezi presin Konferencën Ndërqeveritare në fund të janarit.

“Ne jemi të vetëdijshëm se disa vite më parë, Mali i Zi humbi disa mundësi të mira për të avancuar në procesin e integrimit evropian. Megjithatë, sot nuk jam këtu për të folur për të kaluarën, por për të ardhmen dhe të tashmen dhe momentin e ri për zgjerim”, tha Popa.

Sipas saj, dritarja e mundësisë për Malin e Zi për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe për t’iu afruar edhe më shumë BE-së është shumë e hapur.

Popa vlerësoi Malin e Zi për, siç tha ajo, një përfundim të shkëlqyer në vitin 2023 dhe një perspektivë shumë të qartë dhe të shkëlqyer për këtë vit.

„Mesazhi që Presidentja e Komisionit Evropian (KE) Ursula von der Leyen përcolli gjatë vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor ishte shumë i qartë – Mali i Zi tani duhet të fokusohet plotësisht në qëllimin e tij për t’u bashkuar me BE-në,“ tha Popa.

Popa theksoi se ka një mbështetje shumë të fortë nga vendet anëtare të BE-së dhe një konsensus të përgjithshëm se zgjerimi tani është një synim strategjik dhe do të mbetet një nga prioritetet.

Ajo tha se është me rëndësi vendimtare që edhe Kuvendi edhe Qeveria tani të fokusohen në integrimin e vendit në BE.

SHARE