Një recetë e veçantë dhe që i jep gatimit tradicional të fasuleve një shije akoma dhe më të mirë.
AgroWeb.org ju sugjeron që t’i provoni dhe të surprizoni familjarët tuaj me gatimin e fasuleve të pjekura në furrë.
Kjo recetë është ideale për të gjitha llojet e fasuleve, prandaj përgatiteni menjëherë.
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
400-500 gr fasule të bardha
1 qepë mesatare
1 spec i kuq
1 spec jeshil
5 lugë gjelle me salcë domatesh
4-5 lugë gjelle me vaj ulliri
Kripë
Piper
Nenexhik të freskët (sipas preferencës)
Përgatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju këshillon që nëse fasulet janë të vjetra një natë para përgatitjes lërini në ujë që të zbuten.
Ose nëse janë fasule të reja hidhini direkt në tenxhere me ujë dhe vendosini për të zjerë.
Pasi uji të kenë marrë një valë largojini nga zjarri dhe lërini të pushojnë sërish në ujë dhe përreth 30 minuta ndërkohë që ju përgatisni salcën
Pasi t’i keni larë me ujë të bollshëm perimet që i nevojiten recetës, duhet t’i prisni në copa të vogla.
Në zjarr vendosni një tigan ku keni shtuar vajin e ullirit, sapo ai të jetë ngrohur kaloni qepën.
Kaurdiseni qepën derisa volumi i saj të bjerë dhe më pas shtoni specin e kuq dhe jeshil.
Kur perimet të jenë zbutur shtoni salcën e domates dhe dy gota me ujë. Lëreni salcën në zjarr dhe për 10 minuta.
Mos harroni të hidhni kripë dhe piper sipas dëshirës.
Kulloni fasulet dhe kalojini në një tavë të spërkatur me pak vaj ulliri.
Hidhini sipër salcën që përgatitët dhe me lugë druri përzjejeni në mënyrë që përbërësit të mërrin shijen e njëri tjetrit.
Tavën vendoseni në furrë të parangrohur me 150-170 gradë Celsius dhe lërini të piqen derisa fasulet të zbuten plotësisht dhe të mbeten me pak lëng.
Kjo recetë mund të shoqërohet me sallata me perime turshi por dhe të freskëta të stinës.
Gjithashtu shija do të ishte ideale nëse do të servirej me bukë të ngrohtë misri.
AgroWeb.org ju sugjeron që të mos e humbisni rastin për ta përgatitur këtë recetë.
Madje nëse doni t’i shtoni akoma dhe më shumë shije mund të hidhni dhe mish të thatë (pastërma), të cilit duhet ta zieni më parë dhe me lëngun e tij përgatisni fasulet si më sipër./AgroWeb.org