ASH-LDSH-UNSH NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJEN PËR KOALICION PARAZGJEDHOR

Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Nacional Shqiptar nënshkruan marrëveshjen për koalicion parazgjedhor për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në Tuz, të cilat do të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

Marrëveshja është inicializuar nga Lindon Gjelaj nga Alternativa Shqiptare, Ivan Ivanaj Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Fadil Kajoshaj nga Unioni Nacional Shqiptare.

Po ashtu, është nënshkruar edhe marrëveshja për pjesëmarrjen e koalicionit parazgjedhor në zgjedhjet parlamentare, kurdo që ato të mbahen dhe këtë marrëveshje e kanë nënshkruar udhëheqësit e tri partive, Nik Gjeloshaj, Nikollë Camaj dhe Ferhat Dinosha.

Në kumtesë thuhet se ata e kanë parë të udhës që në momentin e pikërishëm të krizës politike në Mal të Zi partitë shqiptare të jenë sa më të bashkuara e me sa më shume mandate, për të mbrojtur jo vetëm interesin e shqiptareve, por edhe të arriturat në proceset e deritashme demokratike në Mal të Zi, sidomos anëtarësimin e tij në NATO, rrugën për në BE dhe marrëdhëniet e mira me Republikën e Shqipërisë dhe me Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, nënshkruesit ranë dakord që politikave proruse që janë të pranishme në Mal të Zi t’u ngushtohet hapësira e veprimit, sa më shumë që të jetë e mundur, në bashkëpunim me forcat properëndimore.

„ASH, LDSH dhe UNSH i kanë dyert e hapura për ato parti shqiptare të cilat dëshirojnë t’u bashkohen në cilindo nivel të koalicionit,“ thuhet në kumtesë.

SHARE