Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se aleanca përballet me “mjedisin më të rrezikshëm dhe kompleks të sigurisë në një gjeneratë”, duke kërkuar nga Britania e Madhe dhe Evropa të rrisin kontributin e tyre ushtarak. Gjatë një vizite në Britani, Rutte tha se NATO-s i duhet “më shumë Britani dhe më shumë Evropë” për t’u përballur me pasiguritë gjeopolitike, luftërat në Evropë dhe Lindjen e Mesme, si dhe kërcënimet e tjera të sigurisë, raporton Tthe Guardian. “Është thelbësore që forcat tuaja të armatosura të vazhdojnë të ofrojnë fuqinë ushtarake që i nevojitet NATO-s”, tha Rutte, duke iu referuar angazhimeve të vendeve anëtare për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Ai theksoi se investimet më të mëdha në mbrojtje janë të domosdoshme për të garantuar besueshmërinë e mbrojtjes kolektive të aleancës, duke përmendur kërcënimet nga Rusia, luftën në Ukrainë, terrorizmin dhe Iranin. Rutte vlerësoi gjithashtu rolin e Britanisë në NATO dhe mbështetjen e saj për Ukrainën, ndërsa theksoi nevojën që Evropa të marrë një rol më të madh në sigurinë e kontinentit. Ndërkohë, Kanadaja ka aplikuar zyrtarisht për t’iu bashkuar Joint Expeditionary Force, një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Britania dhe i përbërë nga 10 vende anëtare të NATO-s.




