Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe duke deklaruar se beson në pafajësinë e tyre. Në deklaratën e lexuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksohet se lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës dhe se aktgjykimi nuk mund ta ndryshojë, sipas Kuvendit, karakterin e saj çlirimtar apo historinë e popullit të Kosovës. Kuvendi ka shprehur shqetësim edhe për trajtimin e së kaluarës së luftës në rajon, duke iu referuar nderimeve publike dhe shtetërore në Serbi për Ratko Mlladiqin, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte në Bosnje. Sipas deklaratës, qëndrime të tilla cenojnë kujtesën e viktimave dhe pengojnë procesin e pajtimit. Kuvendi kërkon që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së të ndiqen deri në fund, ndërsa u bën thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të bashkërendojnë veprimet institucionale dhe juridike për kundërshtimin e vendimit në Apel.




