RE TYMI NGA ZJARRET E KANADASË, NJU JORKU NDALON AKTIVITETET JASHTË, THIRRJE QYTETARËVE: MBANI MASKA

Retë e tymit nga zjarret e Kanadasë kanë pushtuar Nju Jorkun, duke vënë në alarm autoritetet.

Në kohën kur qielli i Manhatan-it është ngjyrosur në portokalli, zyrtarët e shëndetësisë i bënë thirrje banorëve të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura. Shkollat, parqet dhe agjenci të tjera publike i zhvendosën eventet në ndërtesa të mbyllura dhe përshtatën mënyrën e funksionimit. Po kështu, janë shpërndarë me dhjetëra mijëra maska në pikat kryesore të transportit dhe zonat e të tjera më të frekuentuara.

Si mund të thithet ky ajër? Nuk është i shëndetshëm. Kur eci jashtë, më duket sikur më gërvishtet fyti”, shprehet një banore e zonës.

Të krijon një ndjesi shumë të rëndë, të duket sikur ke astmë. Nëse nuk ke diçka për të pirë ose diçka për të mbuluar fytyrën dhe gojën, patjetër që i ndien efektet. Sytë dalëngadalë fillojnë e të djegin. Në fund, e vetmja mënyrë për të mos u prekur është të hysh diku brenda. Është e frikshme. Situata është bërë shumë më ekstreme”, thotë një qytetare.

Edhe autoritetet e Filadelfias u kërkuan qytetarëve të shmangin aktivitetet fizike intensive dhe të qëndrojnë në ambiente të mbyllura ose, nëse dalin jashtë, të përdorin maska. Ekspertët thonë se sezoni i zjarreve tejet të rënda pyjore në Kanada këtë vit është nxitur nga një kombinim i kushteve atmosferike dhe aktivitetit njerëzor. Disa nga zjarret u shkaktuan nga rrufetë, të tjera ishin pasojë e veprimeve njerëzore, ndërsa për një pjesë të tyre, shkaku mbetet ende nën hetim.

SHARE