Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në Kuvendin e Malit të Zi u mbajt seanca e XIX e “Parlamentit të Grave”, me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Komisionit për Barazi Gjinore, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.
Në këtë aktivitet u vlerësua se Mali i Zi ka shënuar përparim të rëndësishëm në legjislacion dhe në përfaqësimin e grave në jetën politike dhe publike, por u theksua se mbeten sfida në eliminimin e pengesave në tregun e punës, luftën kundër dhunës ndaj grave dhe arritjen e barazisë reale gjinore.
Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, tha se barazia gjinore është pjesë e vlerave evropiane dhe kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve dhe shoqërisë.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Barazi Gjinore, Jellenka Andriq, theksoi se 25 vitet e punës së komisionit kanë sjellë përmirësime të rëndësishme, por se nevojiten përpjekje të mëtejshme për fuqizimin ekonomik të grave, rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje dhe luftimin e çdo forme të diskriminimit dhe dhunës.
Pjesëmarrësit vlerësuan se dialogu dhe bashkëpunimi mes institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë mbetet kyç për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe me mundësi të barabarta për të gjithë.










