MILLATOVIQ NESËR NË SAMITIN E KOMUNITETIT POLITIK EVROPIAN

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq do të marrë pjesë nesër në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Pallatin Blenheim, vendlindja e Winston Churchill, afër Londrës.

Samiti do të mbledhë rreth 50 liderë evropianë, të cilët do të diskutojnë sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet Evropa sot – nga lufta në Ukrainë, emigracioni i paligjshëm dhe bashkëpunimi për sigurinë.

“Presidenti Millatoviq, së bashku me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, do të jenë bashkëkryesues i tryezës “Mbrojtja dhe Sigurimi i Demokracisë”. Gjithashtu, gjatë Samitit, Presidenti do të ketë një sërë takimesh dypalëshe me liderë të shumtë evropianë, si dhe do të marrë pjesë në një pritje të organizuar nga Madhëria e Tij Mbretërore, Mbreti Charles III”, thuhet në njoftim.

Për herë të parë, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të marrin pjesë përfaqësues të NATO-s, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshillit të Evropës, “duke demonstruar kështu rëndësinë e unitetit në përgjigje të konflikteve dhe destabiliteteve brenda dhe pranë kufijve evropianë, të cilat po aq prekin interesat e Britanisë së Madhe dhe të kontinentit evropian”.

SHARE