KE MIRATON FONDET PËR RINDËRTIMIN NË SHQIPËRI

Komisioni Evropian ka miratuar paketën prej 100 milionë eurosh për rindërtimin pas tërmetit, të premtuar në konferencën e donatorëve.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi nëpërmjet një postimi në “Twitter”.

“Me miratimin e paketës financiare 100 milion €, Bashkimi Evropian vazhdon angazhimin e tij për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit, ashtu siç po ofrojmë mbështetje për të adresuar krizën  COVID-19. Ne qëndrojmë pranë qytetarëve të Shqipërisë dhe mbështesim të ardhmen e saj në BE”, shkruan Varhelyi. 

Programi i sapo miratuar do të përqendrohet në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore dhe do të bazohet në punimet e nisura tashmë nën programin ekzistues të rindërtimit 15 milionë euro të financuara nga Komisioni Evropian.

Programi i ri do të financojë më tej rehabilitimin e vendeve të dëmtuara të trashëgimisë kulturore, përfshirë monumentet, dhe vendet arkeologjike.

SHARE