BE-ja PRET QË TEMA E ENERGJISË TË FINALIZOHET JAVËN E ARDHSHME

Bashkimi Evropian pret që javën e ardhshme delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të finalizojnë temën e energjisë. Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano. “BE-ja pret që palët të mbyllin çështjen e energjisë gjatë javës së ardhshme në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve”, tha ai përmes një deklarate me shkrim. BE-ja ka qenë e pranishme në takimin e mbajtur javën e kaluar midis palës serbe dhe Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), në Stamboll të Turqisë. KEDS nga viti 2013 është nën menaxhimin e konsorciumi turk “Çalik-Limak”. Kjo kompani ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në tërë territorin e Kosovës, menaxhon  dhe mirëmban asetet në terren. Në fillim të javës, kryengeociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, paralajmëroi se për çështjen e energjisë janë afër finalizimit të një dakordimi me palën serbe. Ai tha se kjo çështje do të rregullohet “duke respektuar marrëveshjen e arritur në muajin prill të vitit 2013”.

SHARE