Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se situata në verilindje të rajonit Harkiv, ku forcat ruse kanë çarë përpara me një ofensivë të gjerë prej javës së kaluar, vazhdon të jetë shumë e vështirë, por “përgjithësisht nën kontroll”.
Zelensky e vizitoi Harkivin më 16 maj, ku u takua me udhëheqësit ushtarakë, me të cilët bisedoi për gjendjen në Vovçansk dhe Liptsi, dy zona ku po zhvillohen luftime të ashpra tash e disa ditë.
“Deri më sot, situata në rajonin e Harkivit është përgjithësisht nën kontroll, ushtarët tanë po i shkaktojnë humbje të mëdha pushtuesit. Megjithatë, fronti atje mbetet shumë i vështirë dhe ne po i përforcojmë njësitë tona”, tha Zelensky në Telegram.
Vovçansk dhe Liptsi, dy qyteza të vogla vetëm 5-10 kilometra larg kufirit me Rusinë, janë bombarduar pareshtur nga artileria ruse prej se trupat e Moskës e nisën ofensivën në këtë zonë më 10 maj, duke i detyruar rreth 9.000 civilë të evakuohen.
Të dyja këto qyteza ndodhen pranë Harkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, i cili kishte një popullsi prej 1.4 milion banorësh para luftës.
Analistët ushtarakë, megjithatë, thonë se forcat ruse nuk duket të kenë kapacitet për ta kërcënuar Harkivin. Instituti Amerikan për Studimin e Luftës vlerëson se trupat ruse nuk kanë përparuar më shumë se 8 kilometra brenda Ukrainës.
Harkivi ndodhet rreth 35 kilometra larg kufirit rus.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi më 16 maj se forcat ukrainase i prishën planet e ushtrisë ruse për t’u futur më thellë brenda Vovçanskut.