KUVENDI I SHQIPËRISË E MIRATON MARRËVESHJEN ME ITALINË PËR NJOHJEN E PENSIONEVE

Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar të enjten vonë një marrëveshje mes Qeverisë shqiptare dhe Italisë për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore, nga e cila pritet të përfitojnë qindra mijëra pensionistë.

Nëntëdhjetë e dy deputetë votuan pro marrëveshjes për njohjen e pensioneve me Italinë në një seancë disaorëshe të enjten.

Marrëveshja u arrit dhe u nënshkrua më 6 shkurt në Romë nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, dhe ai i Italisë, Antonio Tajani.

Blendi Gonxhe, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, tha gjatë paraqitjes së projektligjit se nga marrëveshja përfitojnë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë që jetojnë në Shqipëri.

“Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute shoqërore e shëndetësore, pavarësisht vendit ku ka punuar”, theksoi Gonxhe.

Ministri sqaroi se marrëveshja mundëson “bashkimin e periudhave të kontributeve për të përmbushur afatin prej 15 vjetësh, që është i nevojshëm për t’u kualifikuar për të përfituar pension”.

Ai tha gjithashtu se pensionisti ka të drejtë të tërheqë përfitimet në çdo vend ku ai ndodhet.

“Objekti i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, e cila përfshin sigurimin për pleqërinë, invaliditetin, dhe pensionin familjar, sigurimin për përfitimin nga sëmundjet dhe barrëlindjet dhe sigurimin e papunësisë. Përfitimet nga skema italiane e përfitimeve janë sigurimi i përgjithshëm i detyrueshëm për pensionin e invaliditetit, të pleqërisë dhe atë familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë dhe fermerë”, shpjegoi ministri.

Gonxhe bëri të ditur se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 qershor.

Shqipëria ka firmosur deri tani marrëveshja të tilla edhe me 16 shtete të tjera, ndërsa është në bisedime për këtë edhe me Serbinë dhe Poloninë. Por, ajo ende nuk ka një marrëveshje me Greqinë, ku jeton një numër i madh emigrantësh shqiptarë.

SHARE