Foto: Luka Zeković
Policia e Malit të Zi ka njoftuar se sot ka siguruar tubimet publike të lejuara të organizuara nga Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi në tetë lokacione në gjashtë komuna, të cilat ishin të paralajmëruara dhe të miratuara deri në orën 10:00.
Pas përfundimit të orarit të lejuar, në disa vende në Rozhajë, Bijello Pole dhe Tuz, disa pjesëmarrës kanë vazhduar protestat dhe kanë bllokuar rrugët në mënyrë të paligjshme, duke tentuar të zgjasin protestat edhe për trafikun e rëndë dhe automjetet e tjera, ndonëse një formë e tillë nuk ishte e lejuar dhe e regjistruar.
Policia ka reaguar për të garantuar rendin publik dhe sigurinë, si dhe për të mundësuar qarkullimin normal të automjeteve, duke larguar personat që kishin bllokuar rrugët, pa përdorur forcë.
Në disa raste janë marrë edhe deklarata në ambientet policore për sqarimin e ngjarjeve.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se për kërkesën e re të shoqatës për protesta të paralajmëruara për periudhën 20–24 prill, do të merret vendim për moslejimin e tyre, duke vlerësuar se bllokada të tilla mund të dëmtojnë lëvizjen e mallrave, furnizimin e qytetarëve dhe ekonominë e vendit.
Në njoftim theksohet se policia ka treguar tolerancë dhe balancë në trajtimin e protestave, duke lejuar që organizatorët të shprehin pakënaqësitë e tyre brenda kornizës ligjore, por se çdo veprim jashtë ligjit nuk do të tolerohet dhe do të trajtohet sipas procedurave ligjore.










