MILLATOVIQ: PA BASHKËPUNIM NUK KA STABILITET, SIGURIA ËSHTË DETYRË E PËRBASHKËT E TË GJITHË AKTORËVE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq deklaroi se stabiliteti i një shoqërie nuk mund të arrihet pa bashkëpunim të fortë mes institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe komunitetit profesional e akademik, duke theksuar se siguria sot është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë aktorëve.

Gjatë fjalimit të tij në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare të menaxherëve të sigurisë, ai nënvizoi se ky takim vjen në një moment të rëndësishëm për Malin e Zi, sidomos për shkak të rolit të tij në kryesimin e Asociacionit të sigurisë korporative të Evropës Juglindore.

Sipas tij, kjo përbën jo vetëm një vlerësim, por edhe një përgjegjësi për të qenë shembull i praktikave të mira dhe faktor stabiliteti në rajon.

Millatoviq theksoi se bota moderne përballet me sfida të ndërlikuara dhe të paparashikueshme, si sulmet kibernetike, dezinformimi dhe krizat ekonomike e energjetike, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e shtetit dhe të shoqërisë.

Ai vuri në dukje se kufijtë mes sigurisë së brendshme dhe asaj të jashtme po bëhen gjithnjë e më të paqartë.

Sipas tij, në këto rrethana siguria nuk është më vetëm çështje e një sektori, por një element i qëndrueshmërisë së përgjithshme shoqërore, që kërkon përgjigje të koordinuar, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në dije.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe privat, si dhe përfshirjen aktive të ekspertëve dhe akademikëve, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si çelësin e suksesit.

Gjithashtu, ai theksoi se qytetarët presin rezultate konkrete, përgjegjësi dhe një sistem funksional sigurie që vepron në mënyrë efikase çdo ditë, jo vetëm në kohë krize.

Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të besimit në institucione përmes profesionalizmit dhe reagimit të shpejtë ndaj sfidave.

Në fund, Millatoviq vuri theksin te investimi në arsimim, kapacitete dhe partneritete, duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët mund të përballohen sfidat moderne. Ai shprehu bindjen se konferenca do të sjellë ide dhe iniciativa konkrete, duke përforcuar sigurinë dhe stabilitetin në Mal të Zi dhe në gjithë rajonin.

SHARE