PËRMBYTJET PAS STUHISË, SHIU NË EMIRATET E BASHKUARA ARABE MË I MADHI NË 75 VJET

Stuhia e fortë me reshje shiu që goditi një ditë më parë Emiratet e Bashkuara Arabe la pas përmbytje të mëdha në Dubai.

Rrugët e qytetit vezullues u kthyen në lumenj, ndërsa uji përmbyti banesa dhe shtëpi, duke e bërë qendrën ajrore më të ngarkuar në botë të ndalë vrullin për pak orë.

Për të dytën ditë me radhë aeroporti i Dubait po vonon, anulon dhe devijon fluturimiet, ndërsa pasagjerët u paralajmëruan të mos i afroheshin aeroportit më të ngarkuar në botë nga trafiku ndërkombëtar, “nëse nuk ishte e nevojshme”, tha një zyrtar.

Linja ajrore kryesore e Dubai Emirates anuloi të gjitha kontrollet të mërkurën pasi stafi dhe pasagjerët u bllokuan në radhët e krijuara të taksive në aeroport si pasojë e përmbytjeve në rrugët hyrëse të aeroportit dhe pezullimit të shërbimit metro.

Po ashtu Komiteti Kombëtar i Emergjencave, Krizave dhe Menaxhimit të Katastrofave të EBA-së u bëri thirrje qytetarëve të “mos dalin nga shtëpitë nëse nuk është e nevojshme” në rajonet ku reshjet shkaktuan përmbytje masive.

Sipas mediave vendase atje, që i referohen të dhënave të Qendrës Kombëtare të Meteorologjisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, të martën ranë deri në 254 milimetra shi, aq sa mund të bien në dy vjet.

Po sipas tyre, këto ishin reshjet me intensitet më të lartë në 75 vitet e fundit.

Nga stuhia humbi jetën një 70-vjeçar, ndërsa 18 persona të tjerë u vranë në Oman, përfshirë disa fëmijë.

SHARE