Decentralizimi i vetëqeverisjeve lokale është një nga kushtet themelore për përmirësimin demokratik të shoqërisë dhe në Mal të Zi po ndërmerren masa konkrete që do t’i japin vetëqeverisjes lokale një shkallë reale të decentralizimit në mënyrë që të zhvillohen në mënyrën e duhur në drejtim të financave dhe personelit.
Kjo u theksua në takim mes ministrit të Administratës Publike Marash Dukaj me ministren e Brendshme e Lituanisë, Agne Bilotaite, në selinë e MPB-së në Vilnius. Bilotaite theksoi se një nga aktivitetet prioritare të Ministrisë së Brendshme të Lituanisë është formimi i politikës shtetërore në fushën e administratës publike, si dhe rregullimi dhe koordinimi i zbatimit të saj.
“Proceset e digjitalizimit të administratës publike dhe futja e shërbimeve elektronike përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të procesit të reformës së administratës publike. Shërbimi publik më i shpejtë dhe më i mirë për qytetarët dhe ekonominë është synimi pa alternativë në rrugën e zhvillimit demokratik të vendit,“ tha ministri Dukaj.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë, ndër të tjera, theksohet se futja e menaxhimit të cilësisë në administratën publike është një nga prioritetet kryesore të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike 2022/2026, e cila përcakton udhërrëfyesin drejt arritjes së këtij qëllimi të rëndësishëm. Shfrytëzohen njohuritë e ekspertëve dhe potencialet tjera të vendeve më të avancuara – organizatave ndërkombëtare, të cilat merren me këtë tematikë.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se ka hapësirë për përmirësimin e bashkëpunimit në kuadër të shkëmbimit të përvojave për decentralizimin e vetëqeverisjeve lokale dhe forcimin e këtij sistemi.